Rama ne Singapor, ftese biznesmeneve te investojne ne Shqiperi
Në takimin e zhvilluar, Rama ka prezantuar fushat ku Shqipëria përbën një potencial të mundshëm investimesh, duke e vënë theksin tek burimet natyrore, turizmi, agro-përpunimi, etj.
“Së pari ne kemi energjinë. Jemi një vend me fuqi të madhe hidro-energjitike. Gjithashtu, vendi ynë është i pasur me naftë onshore dhe në të po kalon linja e re Transadriatike e gazit. Jemi një vend ku besojmë se më herët sesa vonë gazi do të jetë i rëndësishëm. Shqipëria është edhe një vend i pasur me minerale. Ne po shohim shumë investime në këtë sektor. Duke u bazuar në çmimet e reja të kromit po shohim mundësi reale për investime të mëtejshme.
Edhe turizmi po zhvillohet vit pas viti, ndërkohë që bujqësia dhe sektori i agro-përpunimit po ashtu mund të jenë fitimprurëse për disa arsye të thjeshta: tokë pjellore dhe e përshtatshme, burime të bollshme ujore dhe kushte klimatike optimale. Industria përpunuese është një sektor tjetër ku po shohim zhvillime dhe ku jemi të sigurt se mund të bëhet më shumë në nivele të ndryshme, falë taksimit të lirë të sektorit dhe mbështetjes së ofruar nga qeveria”, ka thënë Rama.